Kërkuesit kanë treguar transistorin e parë funksional të përbërë nga një molekulë e vetme. Transistori, i cili ka një molekulë benzeni të lidhur me kontakte ari, vepron si një transistor silici.
Gjendjet e ndryshme të energjisë së molekulës mund të manipulohen me variacionin e voltazhit që i aplikohet nga kontaktet. Dhe duke manipuluar gjendjet e energjisë, kërkuesit mundën të kontrollonin rrymën që kalonte në të.
Transistori, apo pajisja gjysmëpërcjellëse që mund të amplifikojë apo ndryshojë sinjalet elektrike është zhvilluar fillimisht për të zëvendësuar tubat e vakuumit. Më 23 dhjetor, 1947, John Bardeen dhe Walter Brattain treguan një transistor funksional që ishte kulmi i më shumë se një dekade përpjekjesh.
Tubat e vakuumit ishin të mëdhenj dhe jo të sigurt, dhe konsumonin shumë energji. Transistorët e silicit i zgjidhën këto probleme dhe sollën një epokë pajisjesh elektronike të vogla dhe kompakte.
Tani transistorët molekularë mund të sjellin hapin e ri të zhvillimit të nanomakinave që do kryenin përllogaritje komplekse duke përdorur vetëm disa atome, duke mundësuar ndërtimin e kompjuterëve masivë paralelë.
Ekipi i kërkuesve, që përfshinte kërkues nga Universiteti i Yale dhe Gwangju Institute of Science and Technology në Korenë e Jugut, i kanë publikuar zbulimet në numrin e 24 dhjetorit të revistës Nature.
Për rreth dy dekada – prej kur Mark Reed, një profesor i inxhinierisë dhe shkencave të aplikuara në Yale, tregoi se molekula individuale mund të izolohen ndërmjet kontakteve elektrike – kërkuesit janë përpjekur të krijojnë një transistor molekular funksional.
Disa nga sfidat me të cilat janë përballur përfshijnë prodhimin e kontakteve elektrike në shkallë kaq të vogla, identifikimi i molekulave për t’u përdorur, dhe zbulimi ku t’i pozicionojnë dhe si t’i lidhin me kontaktet.
“Kanë ndodhur shumë përparime teknologjike dhe zbulime në shumë vite për ta realizuar këtë,” thotë Reed.
Pavarësisht rëndësisë së zbulimit të fundit, aplikimet praktike si kompjuterë më të vegjël e më të shpejtë molekularë mund të jenë dekada larg, shton Reed.
“Nuk jemi duke krijuar brezin e radhës të qarqeve të integruara,” thotë ai. “Por pas shumë viteve pune për të arritur këtu, kemi përmbushur një sfide dhjetëvjeçare dhe treguam se molekulat mund të përdoren si transistor.”