New York Times raporton se dy institucione edukuese – Shkolla Profesionale Lanxiang, e cila ka lidhje me ushtrinë kineze, dhe Universiteti Jiaotong i Shangait – ishin përfshirë në një seri sulmesh kibernetike ndaj Google dhe kompanive të tjera amerikane, të cilat mund të kenë filluar që prej prillit të vitit të shkuar.
Kompani të shumta, përfshirë Adobe dhe Rackspace, kanë konfirmuar se ato ishin gjithashtu të vëna në shënjestër dhe objektivat e tjerë mendohet të kenë qenë Yahoo! dhe Northrup Grumman.
Muajin e shkuar Google tha se nuk ishte më e gatshme të censuronte rezultatet e sjella prej motorit të tij të kërkimit kinez dhe kërcënoi të largohej nga vendi, derisa ai të lejonte të vepronte e pa censuruar. Në të njëjtën kohë Google njoftoi se ishte viktima e një “sulmi shumë të sofistikuar dhe të qëllimshëm” në serverët e tij, e cili thuhet të ishte një përpjekje për të piratuar llogaritë Gmail të aktivistëve të të drejtave të njeriut në Kinë.
Qeveria kineze ka mohuar të jetë pas këtyre sulmeve, të cilat thuhen të kenë nxjerrë në shesh të çara sigurie në shfletuesin e internetit të Microsoft Internet Explorer.
Motori i kërkimit kinez i Google ngelet ende funksional dhe rezultatet e tija janë ende të censuruara.